Prishtinë - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka mbajtur sot manifestimin e shënimit të 22 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Gjatë këtij manifestimi u tha se 22 prilli ka hyrë në historinë e njerëzimit si Dita e Tokës, ku në këtë datë të vitit 1970, në mbrojtje të mjedisit të Tokës, u realizua në SHBA një demonstrim i fuqishëm ku morën pjesë 20 milion demonstrues. Për shkak të performancës së madhe që kishte ky demonstrim, që nga ajo kohë, 22 prilli ka hyrë në listën e datave të rëndësishme ndërkombëtare, ku bëhet apel për të mbrojtur mjedisin e tokës, planetin ku jeton njerëzia mbarë, kafshët dhe bimët. Në këtë konferencë u bë apel që të krijohet një mjedis i pastër në mënyrë që njerëzit të jetojnë një jetë të shëndoshë.
Mjedisi është një koncept që në kuptim të gjerë përshkruhet si një habitat (vendbanim) i krijuar në tokë për qeniet e gjalla, thanë ekspertë të mjedisit pran MMPH-së.
Sipas tyre, elementet e ndryshme që përbëjnë mjedisin ku jetojmë, si ajri, uji, toka, erozioni, pyjet, biodiversiteti, mbetjet industriale, sipërfaqet e gjelbra, infrastruktura urbane etj., janë elemente të cilat luajnë një rol thelbësorë si në jetën e njeriut, ashtu edhe të botës bimore e shtazore.
Ndërsa në botën e zhvilluar kjo datë ka nis të shënohet tash e 40 vjet më parë, edhe në Kosovë ka filluar të bëhet traditë shënimi i kësaj date me qëllim të rritjes së ndërgjegjes së qytetarëve për mjedisin.
Ekspertët mjedisorë thanë se, pavarësisht faktit se Kosova është vend i vogël në hartën e globit, karakterizohet me natyrë të pasur me peizazhe të bukura, botë të larmishme bimore dhe shtazore.
“Duke hartuar politika efikase për mbrojtjen e natyrës, duke rritur sipërfaqet e zonave të mbrojtura, duke ngritur cilësinë e menaxhimit të këtyre zonave, duke mbrojtur pyjet, ne përmbushim obligimin që gjeneratave pasardhëse t’u japim rastin të shijojnë vlerat e rralla natyrore të Kosovës”.
Ndërsa, Ministri i MMPH-së, Mahir Jagxhillar, me këtë rast i ka ftuar të gjithë qytetarët dhe institucionet që ta mbrojmë mjedisin, “që të krijojmë kushte sa më të mira për menaxhimin e mbeturinave, gjithashtu të krijojmë kushte që qytetarët të kenë qasje për një mjedis më të pastër dhe të gjelbëruar”.
Bukurie Sinani




China Spring Festival