Prishtinë - Dje pasdite në fshatin Bardhosh, në afërsi të kishës ortodokse, ka ndodhur një vrasje e dyfishtë. Bëhet e ditur se një burrë 45 vjeçar ka vrarë ish-gruan e tij dhe babain e saj, ndërsa ka plagosur rëndë motrën e ish-gruas. Me të marrë informatën për këtë incident, njësitet e nënstacionit policor të Bërnicës menjëherë kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin i cili në duart e tij akoma kishte një armë automatike të llojit AK 47 dhe e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshimti në këtë rast. Policët kanë neutralizuar të dyshuarin duke konfiskuar menjëherë armën e llojit AK 47 dhe 25 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në ndërkohë në vend ngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetuesisë, krim-teknikës për të bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes si dhe prokurori publik i qarkut.
Nga hetimet fillestare kuptohet se i dyshuari 45 vjeçar (Bejtush G.), për motive deri më tani të panjohra, ka shtënë me armë zjarri në ish gruan e tij (E. K.) 40 vjeçare, në prindin e saj (Sh. K.) 70 vjeç, si dhe në motrën e ish gruas së tij (H. K.) 35 vjeçare.
Nga plagët e marra ish gruaja e të dyshimtit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe vdekjen e saj e ka konstatuar edhe mjeku kujdestar.
Ekipi i ndihmës së shpejtë ka transportuar personat tjerë të plagosur në QKUK për trajtim mjekësor dhe rreth orës 19:30 është pranuar informata se Sh. K. nga plagët e marra ka ndërruar jetë.
Viktima e tretë në këtë incident kriminal H. K. është duke u trajtuar në QKUK dhe mësohet se është e lënduar rëndë.



