Prishtinë - Si pasojë e aksidenteve në trafik, është shtuar dukshëm numri i pacientëve që kërkojnë ndihmën mjekësore në kuadër të Qendrës Emergjente. Bazuar në statistikat e kësaj Qendre, vetëm brenda një jave ndihmën e mjekut e kanë kërkuar 129 pacientë si pasojë e aksidenteve.
Po ashtu, kjo qendër njofton se është shtuar numri i pacientëve që kërkojnë ndihmën mjekësore edhe nga shkaqe tjera. Në bazë të të dhënave nga Qendra Emergjente për një javë janë trajtuar 1.070 pacientë, shifër kjo rekorde e trajtimit të pacientëve në kuadër të kësaj Qendre. Prandaj Qendra Emergjente e QKUK-së, për shkak të mbingarkesës së madhe, apelon te qytetarët e Republikës së Kosovës, që të mos e ngarkojnë pa nevojë Qendrën, por në raste joemergjente të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet rajonale.



