Ministri i Jashtëm i Kosovës Skender Hyseni pret që një numër i madh i shteteve të njohë pavarësinë e Kosovës. Ai bën thirrje për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. Këto komente ministri kosovar i dha për gazetën austriake 'Der Standard'.
Standard: Cilat janë pasojat e mendimit të Gjykatës tani?
Hyseni: Ky është një konfirmim i qartë ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës. Sot, Gjykata i ka dhënë një këshillë të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që atë ta bëjnë tani. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.
Standard: Prisni njohje të reja tani? Sa?
Hyseni: Absolutisht. Këtë e presim shpejt. Mbi 35 shtete kanë deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës varet nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nuk e shoh ndonjë arsye pse ndonjë vend të shtyjë këtë njohje. Nuk ka më asnjë dyshim.
Standard: Prisni njohje nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian?
Hyseni: Po, absolutisht. Këtë njohje që në fillim e pres nga këto pesë vende.
Standard: A keni tashmë ndonjë sinjal nga Spanja dhe Rumania?
Hyseni: Nuk ka ndonjë sinjal të veçantë. Por do të bëjë një kërkesë të re zyrtare për kolegët mi nga këto vende që të pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. Këtë kërkesë do ta bëj nesër ose të hënën.
Standard: A do të ndryshojnë tani marrëdhëniet me Serbinë?
Hyseni: Unë shpresoj që Serbia do të bindet përfundimisht se Kosova është e pavarur. Nuk jam duke thënë se Serbia do të njohë zyrtarisht Kosovën por të paktën të njohë ekzistencën e saj në mënyrë që të punojmë së bashku për çështje të cilat janë të rëndësishme për të dy palët. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë si dy shtete të pavarura fqinjë.
Standard: Për çfarë?
Hyseni: Për shembull, për tregti, dogana, hekurudha, për të zhdukurit. Unë shpresoj që përfundimisht Serbia të jetë dakord për bashkëpunim e jo të mohojë Kosovën.
Standard: Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremic deklaroi se nuk do të ndryshojë politika ndaj Kosovës.
Hyseni: Kjo është për të ardhur keq. Nuk po shoh asnjë shenjë se diçka po ndryshon në Serbi por as nuk mund të paramendohet që Serbia të mos e respektojë këtë mendim të cilin vet e kishte kërkuar.
Standard: A mund të bëj diçka BE-ja?
Hyseni: BE-ja tani ka një arsye për të kërkuar më shumë nga Serbia sepse në qoftë se Serbia vazhdon të ketë qasjen e saj penguese lidhur me negociatat për statusin e Kosovës kjo do të jetë jo-stabilizuese për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. BE-ja nuk duhet të tolerojë më një gjë të tillë.
Standard: A është ky një mendim bazë për tërheqjen e misionit të OKB-së nga Kosova?
Hyseni: Absolutisht. Fakti që mendimi i Gjykatës ishte se shpallja e pavarësisë nuk e shkel rezolutën 1244 të OKB-së është një thirrje e qartë se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të merret parasysh një rezolutë e re për pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të ndikojë që Misioni i OKB-së në Kosovë të largohet ose të zvogëlojë numrin, ndërsa misioni i BE-së duhet të vazhdojë të jetë në Kosovë për të na ndihmuar.
Standard: Cili është ndikimi i këtij vendimi në veri të Kosovës?
Hyseni: Unë pres që në veri të rivendoset gradualisht sundimi i ligjit dhe restaurimi i autoritetit të qeverisë së Kosovës në tërë territorin e vendit tim. Hapja e një zyre në veri ishte vetëm fillimi.
Standard: A do të jetë 22 korriku dita e dytë kombëtare?
Hyseni: Është një ditë historike për Kosovën.
/Der Standard, Vjenë/



